Nën kryesimin e zv.kryetarit të Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, është mbajtur mbledhja e parë për këtë vit e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB). Në këtë mbledhje u diskutua gjendja e përgjithshme e sigurisë në komunë, u prezantuan statistikat më të fundit, u identifikuan disa nga sfidat aktuale dhe u dhanë rekomandime konkrete për përmirësimin e situatës në të ardhmen.
Zyrtarët përgjegjës vlerësuan se gjendja e sigurisë në komunën e Vitisë është e qetë, stabile dhe pa incidente të theksuara. Kryetari i Komunës, Sokol Haliti, falënderoi të gjithë mekanizmat dhe akterët që janë të përfshirë në KKSB për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në fushën e sigurisë publike. Ai gjithashtu njoftoi për pjesëmarrjen në një takim regjional të komunave të rajonit të Lindjes, ku u prezantuan statistikat e sigurisë, sipas të cilave Komuna e Vitisë vazhdon të jetë ndër komunat me më pak incidente në gjithë territorin e Kosovës.
Haliti kërkoi që bashkëpunimi i mirëfilltë ndërinstitucional të vazhdojë edhe më tej, duke theksuar se vetëm përmes përkushtimit të përbashkët mund të ruhet dhe të avancohen arritjet e deritanishme në këtë fushë. Ai bëri të ditur gjithashtu se disa nga rekomandimet që kanë dalë nga komunitetet që jetojnë në territorin e komunës kanë filluar të implementohen.
Në raportin tre mujor të paraqitur nga Burim Musliu, toger i Policisë në Viti, u bë e ditur se gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 89 raste penale, apo një rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ai përmendi se rastet e dhunës në familje janë në fokus të vazhdueshëm, ndërsa në komunikacion janë shqiptuar 2,126 tiketa. Si sfida, Musliu veçoi mungesën e shenjave të komunikacionit në rrugët regjionale dhe brenda qytetit, por edhe shtimin e rasteve të sulmeve nga qentë endacak, që paraqesin rrezik për qytetarët. Ai përmendi gjithashtu identifikimin e disa objekteve të pabanuara që paraqesin rrezik potencial, për të cilat janë duke u kontaktuar pronarët për ndërmarrjen e masave përkatëse.
Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Basri Aliu, njoftoi se zgjidhja për vendosjen e shenjave të komunikacionit është në proces, pasi është në fazë kontraktimi një kompani e re, duke qenë se kontrata me kompaninë paraprake ka përfunduar. Ai shprehu shqetësimin për dëmtimin e ndriçimit publik në qytetin e Vitisë nga individë të pandërgjegjshëm, duke kërkuar nga organet kompetente të sigurisë të jenë më të angazhuara në parandalimin e kësaj dukurie.
Kurse Bujar Ostergllava, në emër të banorëve të fshatit Pozheran paraqiti disa shqetësime, ndër të cilat veçoi problemin me mbeturinat. Ai kërkoi që të shqyrtohet bashkëpunimi me kompaninë “Eco Higjiena” për përfshirjen e të gjitha ekonomive familjare në sistemin e grumbullimit të mbeturinave. Sipas tij, hedhja e mbeturinave në mënyrë të pakontrolluar po ndikon negativisht në shëndetin e banorëve dhe po ndihmon në shtimin e qenve endacak, të cilët paraqesin rrezik të vazhdueshëm për qytetarët.
Në përfundim të mbledhjes, KKSB doli me disa rekomandime konkrete:
Që të intensifikohet patrullimi policor, në mënyrë që të parandalohet dëmtimi i ndriçimit publik.
Të zhvillohen bisedime me kompaninë “Eco Higjiena” për përfshirjen e plotë të ekonomive familjare në Pozheran në sistemin e grumbullimit të mbeturinave.
Të përshpejtohet vendosja e shenjave të komunikacionit në qytetin e Vitisë dhe në rrugët regjionale.
Mbledhja përfundoi me konstatimin se përkundër sfidave të caktuara, siguria në komunë është në nivel të kënaqshëm dhe përpjekjet do të vazhdojnë për të ruajtur dhe përmirësuar më tej këtë gjendje.